
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një konference për mediat këtë të mërkurë bëri me dije se PD ka dorëzuar në Kuvend amendamentet për ndryshimet Kushtetuese për 3 çështje: Reformën Zgjedhore, Reformën Territoriale dhe Vettingun e politikanëve.
Basha u shpreh se këto 3 çështje kryesore synojnë të kthejnë Shqipërinë në shinat e legjitimitetit.
“Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend amendamentet Kushtetuese në lidhje me 3 prioritet absolute për të nxjerrë shqiptarët nga depresioni dhe nga kriza.
Këto 3 çështje kryesore kanë të bëjnë me: Reformën Zgjedhore përfshirë të gjitha aspektet e saj. Për të organizuar përmes zgjedhje të lira hapin e parë për daljen nga kriza që është kthimi i Shqipërisë në shinat e legjitimitetit.
Amendamentet kanë të bëjnë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të 30 Korrikut dhe depozitimi i kërkesës për komisionin zgjedhor për të nisur sa më shpejt nga puna që reforma zgjedhore me të gjithë komponentët e saj të nisë një orë e më parë.
Amendamenti tjetër ka të bëjë me katastrofën që përjetojnë shqiptarët për shkak të asaj që KE e konsideron si dështim total, e ashtuquajtura reformë territoriale, një pushtet tashmë i shkatërruar dhe zëvendësuar nga 61 bajraktarë që i grabisin pushtetit afro 120 milionë Euro më shumë se sa kushtonin 300 e ca të punësuarit e para 2015. Ne kemi paraqitur amendamentin tonë që parashikon bashki urbane dhe bashki rurale. Rëndësi ka që pushteti vendor të shkojë afër qytetarëve.
Propozimi i tretë dhe ai që është më i detajuari në këtë depozitim të projektligjit ka të bëjë me Vettingun e politikanëve. Rastësisht dje pashë disa tituj në media që thonë rikthehet Vettingu i politikanëve. Kjo është pjesërisht e vërtetë.”, u shpreh Basha.



