
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij para simpatizantëve të PD-së, sonte u ndal te ecuria e turizmit në këtë sezon veror.
Berisha thotë se ky vit shënon shkatërrimin e turizmit në vend ku kapacitetet kanë rënë nga 50 deri në 70 përqind ku hotelet, shezlonget, çadrat kanë qenë me çerek apo maksimumi dyzet përqind të kapaciteteve të tyre nga qershori deri sot. Shkaku kryesor sipas kreut të PD-së është varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve.
Ky vit shënon de facto shkatërrimin e turizmit në Shqipëri.
Kapacitetet turistike në vend kanë rënë nga 50 gjer në 70 përqind.
Kompanitë e mëdha turistike, njëra pas tjetrës, janë larguar nga Shqipëria.
Tregu ka pasur absurditete nga më të rëndat.
Në një kohë kur propaganda qeveritare u shet shqiptarëve për turistë pasagjerët e Rinasit apo të portit të Durrësit, në mënyrën më mashtruese, më të turpshme kapacitetet turistike, hotelet, shezlonget, çadrat kanë qenë me çerek apo maksimumi dyzet përqind të kapaciteteve të tyre nga qershori gjer sot.
Kjo është një goditje shumë e rëndë për Shqipërinë, ekonominë e saj dhe shqiptarët, të cilët kanë investuar normalisht se kudo tjetër në turizëm.
Të cilët nga thellësitë e Alpeve gjer në Konispol, në të gjitha brigjet e detrave dhe liqeneve, në të gjitha malet dhe luginat e lumenjve, e shihnin dhe e shohin turizmin si një dritë shprese për mëkëmbjen e tyre ekonomike.
Por çfarë ndodhi këtë vit? Shkaku i parë dhe më kryesor miqtë e mi është varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve.
Nuk mund të shkojnë me pushime 47 përqind e shqiptarëve që deklarojnë se nuk sigurojnë dot ushqimin e duhur për fëmijët e tyre.
Të jemi realistë, plazhet e jugut i mbushte Tirana, kjo është e vërteta.
Dhe varfëria i përjashtoi shqiptarët nga kjo mundësi.
Tutje Berisha u ndal edhe të fakti se sipas tij goditje të tmerrshme turizmit i ka dhënë Kosova.
Ai tha se Rama sillej me armiqësi ndaj tyre dhe kishte edhe racizëm sidomos në jug.
Por miqtë e mi, goditje të tmerrshme turizmit i ka dhënë Kosova. Turizmi vjetor i Shqipërisë në një masë 70 përqind, përcaktohej nga shqiptarët jashtë Shqipërisë. Të Kosovës, Maqedonisë, etj.
Kur Edi Rama sillet me Kosovën me armiqësi si Vuçiçi, çfarë mendojmë ne, se ata nuk ndikohen nga kjo?
Çfarë i bënë ata Edi Ramës dhe Shqipërisë, që Edi Rama dhe qeveria e tij të trajtojnë Kosovën me sanksione, me armiqësi?
Çfarë i bënë qytetarët e Kosovës dhe qeveria e Kosovës Shqipërisë, që Edi Rama të kërkojë publikisht bllokimin e vizave për qytetarët e Kosovës?
Psikologjia e çdo njeriu është psikologji. Po ky njeri nuk na don. Të presim ditë të tjera.
Dhe e vërteta është që këtë vit ata u derdhën në plazhet e vendeve përreth.
Mos harroni një gjë, se jashtë Kosovës, kosovarët që vinin në Shqipëri, janë po aq sa në Kosovë.
Por edhe ata tani, përveç racizmit antishqiptar që gjenin te kriminelët e Rilindjes, tek fanatikët e Edi Ramës, sidomos në zonat e jugut, të cilëve ia ndryshonin kontratat, të cilët nuk i pranonin se na erdhën polakët, çekët apo të tjerë.
Po të cilët përbënin rreth 70 përqind të turizmit real vjetor shqiptar.
Ky ka mbajtur një qëndrim më miqësor ndaj Serbisë se ndaj Kosovës, në një kohë kur çdo vit ata shpenzonin së paku 400 gjer 500 milionë euro në Shqipëri.



