Analisti Arian Çani, thotë se ka një kaos në Partinë Demokratike dhe se nuk dihet nëse janë shtuar të rinj që e mbështesin Sali Berishën apo jo.
Për MCN Tv, ai foli për një grup amorf brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Një grup që tani po rri në heshtje, i cili ka qenë shumë aktiv deri pak kohë më parë. Grida Duma, Ervin Salianji, etj. Nuk kanë dalë më, nuk kuptohet se pse dhe cila ka qenë strategjia e tyre. Dolën hapur dhe e detyruan që Basha të ikte. Ka një rezistencë ndaj mazhorancës së PD me në krye Berishën apo Komisionin e famshëm të Rithemelimit. Beteja e vërtetë e Berishës nuk është me bazën poshtë, se bazën e ka pasur dhe do e ketë sa të jetë gjallë. Sa më lartë ngjitemi në hierarkinë e asaj shtëpie, shohim se aty kemi rezistencë. Të gjithë ata kanë ngrënë një lugë çorbë të prishur, e kanë ngjyer diku gishtin. Ca të tjerë e kanë tabu, se më mirë ta kemi mirë me superfuqinë, Amerikën, të presim dhe pastaj të lëvizin. Në këtë moment nuk janë as kundër Berishës dhe as kundër të tjerëve, ky është grupi më rezistent, nuk guxon të flasë. Kjo krizë do thellohet.
Lidhur me deklaratën e Berishës, i cili kërkoi dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i grupit, tha se ndodhet në një situatë personale të vështirë qysh kur u deklarua non grata dhe në këto kushte mund të bëjë gabime.
Sipas tij, dalja publike e Berishës, se Alibeaj mbaroi së qeni kryetari i grupit, ishte e gabuar dhe nuk duhet ta kishte bërë.
Se ai nuk është kryetari i PD, është e nxituar, mund ta bënte me gojën e një tjetri. Mund të dilte edhe Belind Këlliçi a ndonjë tjetër. Nuk ka pse thyejë arra me gojën e tij. Alibeaj është kryetar grupi parlamentar, por nuk e heq dot Berisha, një debat brenda grupit. Berisha rrezikon të bëjë gabime të reja për shkak të situatës ku është, duke dalë kundër asaj që tha në Foltore, nuk përjashtojmë asnjë. Ka një problem këtu dhe doktori megjithëse është në hall me amerikanët dhe nuk është konfiguruar struktura me një kryetar të konfirmuar, Berisha duhet të jetë më i kujdesshëm ta drejtojë lëvizjen por të jetë më modest.
Propozimin e deputetes Flutura Açka për vetësakrifikimin e Berishës për të bashkuar PD, ai e krahasoi me mitin e Rozafës, ku duhet murosur një njeri që të bien muret.
Por Çani tha se kjo nuk është kategori politike dhe se nuk funksionon politika me vetësakrifikime.
Edhe Berisha të iki nesër pa ia kërkuar Flutura, në momentin që kjo parti po përjeton këtë krizë të thellë, përçarja do vazhdojë se atje ambiciet janë dhe të shpallura dhe të fshehura. Edhe sikur të mos e fusim elementin Berisha në analizë. Pse duhet me ikjen e Berishës të gjithë të bien dakord. Atje ka më shumë se një që duan të bëhen kryetar. Është ky grupi amorf që tani nuk po flasin, duan ta kapin ata kështjellën. Berisha nuk është në këto momente as faktor përçarës, as përbashkues, gjithmonë do ketë firo në atë parti.
Deklaratën e Genc Pollos në MCN Tv se shpallja e Berishës non grata, është guralec, sipas tij nuk qëndron.
Është gur i madh, amerikanët nuk kanë asgjë në dorë për të imponuar se kush do jetë kryetari i PD. Njerëzit e thjeshtë nuk kanë konjukturat tona, janë njerëz të lirë do shkojnë ku kanë zemrën dhe shpirtin. Amerikanët s’kanë gjë në dorë për të zgjedhur, por t’i japin mundësi mazhorancës që të vazhdojë pa iu futur gjembi në këmbë. Në zgjedhjet e radhës amerikanët mjaftojnë të mbyllin një sy dhe ti thonë Ramës “vazhdo vëlla, mjafton që Berisha të mos vijë në pushtet”.



