
Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras viziton sot zyrtarisht Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vizita është e para zyrtare që pas ndërrimit të emrit të Maqedonisë.
Në delegacionin e Tsiprasit do të ketë 10 ministra nga kabineti i tij, rreth 100 afaristë, ndërsa planifikohet të nënshkruhen më shumë marrëveshje bilaterale. Fokusi gjithsesi do jetë në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, mbrojtjes dhe procesi i eurointegrimeve të vendit. Do të nënshkruhet marrëveshje edhe për hapjen e një vendkalimi të ri.
Kryeministri grek do do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev, si dhe me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi.
Siç raportojnë mediet greke, sipas Tsipras, Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëhen partnerë dhe aleatë.
Në verën e vitit 2018, kryeministrat Tsipras dhe Zaev janë dakorduar për emrin e ri: “Republika Maqedonia e Veriut”. Athina ka pranuar që të mos pengojë anëtarësimin e vendit në NATO. Pas mosmarrëveshjeve të shumta, vendimi është miratuar edhe në Parlamentin e Greqisë, në janar të vitit 2019.



