Në MCN Live, avokati Kujtim Cakrani ka komentuar zhvillimet në fushën e prokurimeve publike, duke pretenduar rritje të ndikimit të krimit të organizuar në ekonomi dhe institucione.
Sipas tij, problemi i tenderave dhe prokurimeve lidhet ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të cilën ai e cilëson si një hallkë qendrore në sistem.
Kur flasim për tenderat, padyshim flasim për AKSHI-n, sepse ai është mëma e gjithë kësaj historie. Nëse e anashkalojmë AKSHI-n, nuk shkojmë askund. Problemi është se sot Shqipëria, ekonomia jonë, është e marrë peng nga mafia dhe këtë duhet ta pranojmë si fillim, sepse nëse nuk e pranojmë këtë, nuk kemi bërë asgjë. Nëse e anashkalojmë AKSHI-n është si të kërkosh të shërosh plagën pa ilaç. Gjithçka duhet të fillojë nga AKSHI, të gjitha diskutimet e tjera janë të kota.
Ai shtoi se institucionet përgjegjëse për kontrollin dhe sigurinë në prokurime duhet të jenë më aktive në hetime dhe evidentimin e shkeljeve.
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) duhet të jenë në hetime. DSIK është treguar e kujdesshme për të mbajtur biznesmenët sa më larg masave me karakter shtrëngues. Kam rezerva për KPP-në, ndërsa DSIK ka detyrimin ligjor të evidentojë të gjitha kompanitë dhe administratorët. Mafia ka kapur sistemin, e njëjta gjë ka ndodhur edhe këtu. DSIK ka detyrim ligjor të evidentojë kompanitë që kanë bërë shkelje.
Cakrani pretendoi gjithashtu se ndikimi i krimit të organizuar është i shtrirë në disa shtylla të shtetit.
Institucionet janë të kapura nga krimi i organizuar. Mafia shqiptare ka infiltruar njerëzit e vet në institucione, ka kapur administratën publike, gjyqësorin dhe drejtësinë.
Në një tjetër deklaratë, avokati kritikoi edhe kontrollet e befasishme në burgje, duke i cilësuar si të parashikueshme dhe joefektive.
Sa i përket kontrolleve të befasishme në burgje, ato janë për propagandë, sepse të burgosurit i marrin vesh më herët se ata që shkojnë për kontroll. I heqin të gjitha sendet e palejueshme dhe pastaj i rikthejnë përsëri.



