Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Enri Ceno, ka komentuar gjetjet e Progres-Raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, duke vënë në dukje se përtej dokumenteve zyrtare dhe retorikës së pritshme politike, vëmendja kryesore duhet të përqendrohet te kushtet aktuale të jetesës së qytetarëve.
Në MCN Live, Ceno bëri me dije se një ekip ekspertësh pranë forcës së tij politike po studion me imtësi të gjithë dokumentin e përgatitur nga Komisioni Evropian, ndërsa theksoi se integrimi mbetet një proces i gjatë institucional që nuk pasqyron gjithmonë realitetin e prekshëm social.
Ai u shpreh se ngritja apo konsolidimi i strukturave shtetërore është një rrugëtim që kërkon kohën e vet, por kjo nuk duhet të shërbejë si mbulesë për problemet e brendshme.
Unë ende nuk e kam parë të gjithë dokumentin në tërësi, por kam lexuar pjesë të tij dhe kemi tashmë një ekip ekspertësh të cilët po merren specifikisht me këtë pjesë. Sigurisht që partitë politike do të bien menjëherë në retorikën e tyre të zakonshme, ku mazhoranca do ta ngrejë atë në piedestal si një arritje të madhe dhe nga ana tjetër opozita që do ta cilësojë si një njollë regresi, pasi kjo gjë ka ndodhur gjithmonë me raportet ndërkombëtare në vendin tonë. Unë bie parimisht dakord lidhur me aspektin e ekspertizës, ku institucionet hapen dhe po mbyllen dhe kuptohet që ky është një proces i tërë që kërkon kohën e vet të domosdoshme, por ajo që ne si opozitë na intereson vërtet dhe ka rëndësi parësore është aspekti i realitetit dhe kushtet konkrete në të cilat po jetojnë sot qytetarët shqiptarë. Ne duhet të shohim realitetin ku prej pesë muajsh studentët dhe qytetarët e thjeshtë po protestojnë vazhdimisht përpara zyrës së kryeministrit, pikërisht për ato kushte jetese dhe vështirësi me të cilat përballen çdo ditë, gjë që tregon se situata në terren ndryshon nga ajo që shkruhet nëpër raporte.



