“Një epoke e re edhe për të gjithë ata që kanë investuar apo duan të investojnë në Shqipëri. Kësisoj jam ndjerë mjaft mirë, kur nga shumë drejtime, nga Britania, Gjermania, Turqia, më është shprehur vullneti i investitorëve për të pare më nga afër mundësitë e investimit në Shqipëri, pikërisht sepse kanë marrë informacionin se kjo reformë në drejtësi, kjo reformë e jashtëzakonshme kushtetuese ka kaluar me sukses”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e 25 vjetorit të BERZH në Tiranë.
Nga ana tjetër, -vazhdoi Rama,- më vjen mjaft mirë që Presidenti i BERZH-it theksoi vullnetin tonë për të qenë një qeveri reformash dhe ne do të vazhdojmë të jemi një qeveri reformash deri ditën e fundit në detyrë, pasi jemi absolutisht të bindur se Shqipëria ka humbur shumë kohë, duke shtyrë e duke vonuar gjithnjë e më tepër luftën e madhe me të shkuarën e saj dhe me sfidat madhore me të ardhmen tonë. “Ndaj fjala jonë kyçe është modernizimi dhe kësisoj ne do të vazhdojmë të modernizojmë përmes reformimit të sistemeve tona, reformimit të institucioneve tona, të shtetit”, tha Rama.
Duke folur për rolin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Rama tha se, pjesë e këtij procesi është edhe bashkëpunimi me BERZH-in, i cili nuk ka qenë thjesht një ofrues parash, por mbi të gjitha ofrues njohurish. “Sot, ne nënshkruam programin tonë më të ri, që është para së gjithash, një instrument inovator në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë, bazuar në një shkëmbim mjaft të frytshëm të njohurive”, deklaroi Rama. “Falë mbështetjes së BERZH-it në një proces mjaft produktiv të të nxënit nga ana jonë si të shpenzojmë më mirë dhe në mënyrë shumë herë më efikase për hir të zhvillimit të bujqësisë, ato para, të cilat ne i përdornim në mënyrën e vjetër, por papritur rezultate të një lloji të ri”, njoftoi Rama lidhur me marrëveshjen e nënshkruar dje, për mbulimin e garancive të kredive për bujqësinë.
Jemi të gjithë të njohur me historinë e bashkëpunimit tonë, ndaj nuk do të përsëris ato që vuri në dukje Presidenti. Por thjesht doja të theksoja se jemi tejet të angazhuar si anëtarë e partnerë me BERZH-in dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të ecur më tej në këtë përpjekje, për të krijuar instrumente të reja që do të mbështetin në mënyrë alternative rritjen e kapaciteteve tona si vend, si bashkësi biznesi dhe po kështu, për të hapur hapësira të reja për investuesit e huaj.



