GJKKO i kërkoi SPAK-ut të nisë hetimet për manipulim votash në Durrës, në zgjedhjet e 11 majit, bazuar në kërkesën e ish-kandidat për deputet të PD, Aulon Kalaja.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Aulon Kalaja e konsideron vendimin një ngjarje të rëndësishme për votën e lirë, ku tashmë do të bëhet e mundur hapja e videove gjatë numërimit të votave.
Kalaja thotë se SPAK-u është i detyruar të hetojë krimin zgjedhor dhe grupin e strukturuar kriminal, dhe sipas tij hetimet do të shtrihen edhe në qarqe të tjera si Tirana, Dibra dhe Fieri.
“Është ngjarje e rëndësishme për votën e lirë, jo për Aulonin. Lajmi është që GJKKO vërteton gjithë pretendimet e mia që kam bërë në kallëzimin në SPAK, dhe e detyron SPAK-un të hetojë krimin zgjedhor dhe grupin e strukturuar kriminal. Kërkohet tashmë hapja e videove. Duhet të hapen videot për të parë krimin zgjedhor. Besoj që nga hetimi që do bëjë SPAK-u do dalin njerëzit që kanë manipuluar votat, jo të gjithë numëruesit, ka pasur numërues shumë të ndershëm. Janë të gjitha dyshimet e arsyeshme që aty ka manipulim, këtë thotë edhe gjykata. Madje gjykata i thotë prokurorin që duhet të bësh hetime edhe për Dibrën, Tiranën dhe Fierin. Nëse do bëhet hetim serioz çështja e votës në Shqipëri do marrë përgjigje tjetër. Kjo nuk sjell asnjë përplasje në PD, unë jam në frymë të PD për të nxjerrë në pah farsën zgjedhore dhe manipulimin zgjedhor. Do hetohen edhe qarqe të tjera. Kam bërë një kallëzim tjetër në SPAK për KAS-in. Ma ka rrëzuar SPAK-u dhe pres vendimin e GJKKO”.
Sa i takon atentatit në Rinas, Kalaja thekson që duhet të shkrihet AMP-ja dhe jo Komisariati i Fushë-Krujës sikurse është vepruar.
“Është një zonë që vendos në pikëpyetje sigurinë kombëtare me atentatin që ka ndodhur aty. Janë dëmtuar një pjesë e madhe e bizneseve rreth e qark vendit ku pati të shtëna. Si ka mundësi që shteti është shoferi i krimit?! Pak më vonë kaloi një delegacion i BE. Më bëri përshtypje që si ka mundësi kësaj radhe s’kishte polic, pasi gjithmonë ka polic. Nuk kemi kontroll mbi territorin. Fakti që Policia u shërben atyre dhe ka rrjedhje informacioni…Si e shkrike ti Komisariatin e Fushë-Krujës?! Për një ngjarje që ka ndodhur u shkri. Ata të Durrësit s’janë aktiv, s’janë prezent, janë inekzistent. Nuk punonin as radiomarrësit e policisë, as kamerat! Nga kanë dalë këta njerëz?! Është detyra e policisë ta gjej këtë dhe jo të stigmatizojë Fushë-Krujën. Policët e rinj që ka rekrutuar Rama janë përdorues droge, e thonë njerëzit, mënyra si sillen. Edhe këta që kanë rekrutuar te AMP. Nëse ka një vend për t'u shkrirë është AMP, s’është komisariati i Fushë-Krujës. Krimi dhe policia janë në lidhje të ngushtë”.



