
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish është shprehur sot për iniciativën “Ballkani i Hapur”, që Kosova ka refuzuar të bëhej pjesë.
Kurti, ka dërguar mesazhin e tij në tribunën “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar sot nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përmes së cilës përcolli mesazhin për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, pasi siç tha ai vetëm kur të jemi të lidhur fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.
“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik.
Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon.
“Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik”, ka shkruar Kurti.
Kurti, në këtë adresim e ka lavdëruar punën e patriotëve të Shkupit, duke i përmendur me emra disa nga ta.
“Po të isha aty, sigurisht do të kishim diskutuar gjatë mbi kontributin e Shkupit e të shqiptarëve të Maqedonisë në çështjen kombëtare. Nga gratë tona nder i Kombit, Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Terezë, nga kryengritjet e hershme të Dervish Carës qysh në 1844, e deri te çlirimi i Shkupit nga Hasan Prishtina, Bajram Daklani, Bajram Curri, Isa Boletini, Mehmet Deralla, Idriz Seferi etj. Do të flisnim edhe për zhvillimet e thellimet e mendimit strategjik shqiptar, nga Ukshin Hoti e deri te Arbën Xhaferri. Por këto të gjitha do t’i diskutojmë në raste të tjera”, ka thënë Kurti.



