
Ambasada e SHBA në Tiranë zbardh detaje nga takimi i ambsadores Yuri Kim me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha, në Presidencë.
Ambasada thekson se i pranishëm në takim ka qenë edhe Zëvendëskomandant Gjenera i Ushtrisë së SHBA në Evropë, Gjeneral Major Joseph Jarrard, i cili ka diskutuar me krerët e politikës shqiptare për vazhdimin e punimeve “për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin tonë nëpërmjet stërvitjeve të ardhshme ushtarake të SHBA, me ushtarë shqiptarë dhe në tokën shqiptare”.
“Një aleate e palëkundur e NATO-s prej vitit 2009, Shqipëria është një partnere strategjike e sigurisë për Shtetet e Bashkuara – si në rajon, ashtu edhe në botë. Shqipëria po investon ndjeshëm për të forcuar gatishmërinë e saj për mbrojtjen kolektive të NATO-s, duke punuar ngushtë me SHBA për të përmirësuar aftësitë në të gjitha fushat.
Ne kemi qenë dëshmitarë të guximit dhe vendosmërisë së shqiptarëve në Afganistan, Kosovë dhe Irak dhe, përmes Partneritetit Kombëtar të Shqipërisë me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit.
Ndërsa ne jemi ende duke planifikuar stërvitjen DEFENDER-Europe 21, presim që Shqipëria të ketë një rol të rëndësishëm në këtë stërvitje madhore ushtarake. Shqipëria do të jetë një vend kryesor pritës për veprimtaritë e shumta ushtarake që po afrojnë, dhe kjo përforcon rëndësinë strategjike të gjeografisë së Shqipërisë në rajon”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-ve.
Ambasadorja Kim takim me Metën, Ramën dhe Bashën në Presidencë
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka shkuar pasditen e sotme në Presidencë, ku po zhvillon një takim me Kreun e Shtetit, Ilir Metën, kryeministrin Edi Rama, kreun e PD Lulzim Basha dhe ministrat Niko Peleshi dhe Bledi Çuçi.
Ky takim vjen në prag të fillimit të një prej stërvitjeve më të mëdha të ushtrisë amerikane në Evropë, “Defender Europe 21” në Shqipëri.
Gjithashtu edhe në një kohë kur ambasadorja Kim ka intensifikuar thirrjet ndaj partive politike që të pastrojnë listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit.
Sipas zonjës Kim, asnjë person me rekorde kriminale nuk duhet afruar nga asnjë forcë politike.



