
“Basha është një figurë që është investuar 16 vjet, figura më e investuar në politikën shqiptare për të na çuar në fitore dhe na çon në dështim”, kështu u shpreh në “Arnautistan” në MCN TV Fatbardh Kadilli duke iu referuar humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas tij humbja e zgjedhjeve ka vulosur ciklit politik të Bashës. Duke nisur që me krijimin e listave të kandidatëve të PD, Kadilli tha se ishte konceptuar në mënyrë që të luhej në mbrojtje me partinë dhe në sulm me aleatët.
“Ajo që nuk më pëlqeu në të tërë deklarimin e tij të parë ishte ajo formë që zgjodhi, sepse forma është përmbajtje. Rreshtimi i njerëzve dhe grupit parlamentar përpara derës kur ti deklaron se do të fillosh një luftë ndaj kundërshtarit dhe në fakt gjesti që bën është mbrojtja e derës tënde dhe deklarimi “Kush nuk na njeh mirë të dijë që nuk dorëzohemi” është ekzakt një mendësi gati bolshevike dhe nuk i shkon as për moshë as për formimin e pretenduar Bashës. Me këtë mbyllet cikli politik i tij. Është një figurë që është investuar 16 vjet, figura më e investuar në politikën shqiptare për të na çuar në fitore dhe na çon në dështim. Cikli politik nuk ka të bëjë me zvarritjen në politikë. Nuk jam edhe aq i zhgënjyer sepse ia njoh teknologjinë. Konsiderata e parë kur kam parë se si po bëhej lista e kandidatëve ka qenë se po luhej në mbrojtje me partinë dhe sulm me aleatët. Lista ishte konceptuar në mënyrë të tillë dhe po të fitonte mirë. Po të fitonte donte të fitonte vetëm që mos i kishte borxh askujt”, tha Kadilli.



