I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të takohet të hënën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Takimi mes Lajçakut dhe Vuçicit do të mbahet rreth orës 13:30, ndërsa temë diskutimi do të jetë dialogu në Bruksel.
Lajçaku javën e kaluar ishte për vizitë zyrtare të paparalajmëruar në Kosovë, ndërsa ka takuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislmi.
Ai ka thënë se tema e energjisë dhe targave e kanë dominuar takimin e tij me Kurtin.
E para ishte rruga drejt normalizimit dhe vazhdimi i diskutimeve që nisëm së fundmi që vazhduan edhe me intervenim të presidentit Macron e kancelarit Scholz dhe përfshirjen e Blinkenit. Diskutuam hapat e ardhshëm. Tema tjetër ishte ajo për energjinë dhe për targat.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.



