Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka dështuar për të 18-ën herë radhazi, duke thelluar ngërçin politik që ka bllokuar formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në seancën e fundit parlamentare nuk arriti të kalojë as propozimi për formimin e Komisionit Zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit.
Me vetëm 52 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim, propozimi dështoi për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Për pasojë, seanca u ndërpre dhe u la të rinisë pas 48 orësh, sipas procedurës së ndjekur edhe në rastet e mëparshme.
Ngërçi politik lidhet me pamundësinë e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit. Opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, kanë deklaruar qartë se nuk do ta mbështesin kandidaturën e saj.
Në një përpjekje për të zgjidhur krizën, presidentja Vjosa Osmani mbajti të enjten një takim me liderët e partive politike, por diskutimet nuk prodhuan asnjë marrëveshje konkrete.
Ndërkohë, LVV ka deklaruar se nuk do ta tërheqë apo ndërrojë kandidaturën e Haxhiut, duke e lënë të bllokuar procesin dhe shtyrë zgjidhjen e krizës institucionale.
Që nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, ndërsa seancat po zhvillohen çdo 48 orë, pa rezultat.
Mungesa e kuorumit dhe mungesa e konsensusit mes partive politike po vonojnë zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja qeverisëse.



