Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetarja Lindita Çela ka ngritur shqetësime lidhur me zhvillimet në zonën e Zvërnecit, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e dhënies së lejeve të zhvillimit dhe ndryshimet në statusin e zonës së mbrojtur.
Sipas saj, më herët në këtë zonë ndërtimet nuk lejoheshin për shkak të statusit të mbrojtur, ndërsa sot situata ka ndryshuar, duke lejuar zhvillime të reja.
Zonë e mbrojtur dhe kjo falë vendimeve të qeverisë… ky është faji i përgjegjësisë së qeverisë shqiptare. Dhe në atë kohë, sot duke pasur parasysh këtë zhvillim duhet të kemi të qartë pse u ndryshua, ku aty ku nuk lejoheshin ndërtime në zonën e mbrojtur, sot lejohen. Por ka ndryshuar statusi nga një zonë ku nuk lejoheshin ndërtimet, sot lejohen.
Ajo theksoi gjithashtu se debati nuk lidhet me investimet në vetvete, por me subjektet që përfitojnë lejet e zhvillimit, duke ngritur dyshime mbi kompanitë e përfshira. Sipas deklaratës së saj, disa prej këtyre subjekteve janë krijuar rishtazi dhe me kapital minimal.
Nuk është problemi i kundër investimeve, siç Rama u mundua të sillte sot një narrativë. Problemi qëndron kujt kompanie i është dhënë leja… kemi të bëjmë me kompani ‘matrioshka’ dhe jo kompani reale. Këto kompani janë të krijuara brenda 12 ditëve dhe me 1 euro.
Gazetarja shtoi se po hetohen edhe çështje të pronësisë së tokave në zonën e Zvërnecit, ndërsa përmendi se Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Vlorës kanë nisur verifikime dhe hetime për raste të dyshuara të tjetërsimit të pronave që nga vitet 2014–2015.
Sipas saj, disa nga subjektet dhe individët e përfshirë kanë qenë më herët nën hetim për çështje të ngjashme, ndërsa theksoi se: “Lajmi më i mirë është nisja e kontrolleve nga prokuroria e posaçme, pasi ndaj personave ndaj të cilëve është kryer kontrolli janë edhe persona me rekorde të mëparshme në hetime.”
Ajo përmendi gjithashtu pretendime lidhur me administrimin e Kadastrës së Vlorës dhe procedura të mëparshme të shqyrtimit të pronave, përfshirë edhe raste të trajtuara nga komisionet e hetimit të pronave, ku sipas saj disa kërkesa për kthim prone janë refuzuar.



