
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë vizitës tek minatori i plagosur në minierën e Bulqizës, akuzoi qeverinë dhe mafian e kromit si përgjegjëse e vdekjes së 40 minatorëve në 5 vjet. Basha u shpreh se opozita do të vazhdojë përpjekjet për rrëzimin e qeverisë, si pengesë për integrimin në BE.
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë “Rama” se po mban peng negociatat duke mbrojtur personat të përfshirë në çështje kriminale, si Agron Xhafaj dhe ish- ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Basha ka theksuar se beteja që ata kanë vazhduar nuk do të jetë e lehtë dhe se nuk do të ndalen pa larguar këtë qeveri.
Deklarata e Bashës erdhi menjëherë pasi vizitoi minatorin e plagosur, në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ai nuk u kursye të akuzonte sërisht qeverinë për numrin e lartë të vdekjeve në miniera.
Selim Zeneli dhe Mentor Xheka janë plagosur të martën në minierat e kromit në Bulqizë.



