Nënkryetari i PD Alfred Rushaj deklaroi në një takim me banorët e zonës “5 maji”, në Tiranë se qeveria ka shkelur ligjin dhe kushtetutën, duke u prishur shtëpitë pa shpërblim paraprak. Ai tha se qeveria po tallet me rreth 5 mijë banorë të zonës me kontratat e qerasë.
Kontrata është një turp. Aty thuhet po ta prish shtëpinë dhe të premtoj se pak më vonë do të të them, nëse do të marrësh apo jo shtëpinë, kur, ku dhe si do ta marrësh. Duhet lexuar kontrata për të parë sesi qeveria tallet me njerëzit.
Banorët e zonës “5 Maji” vunë në dukje se aty jo vetëm nuk ka shkuar asnjë deputet i PS, por asnjë nga institucionet, përfshirë bashkinë dhe kryeministrinë nuk përgjigjen për t’u dhënë shpjegime.
Këta i kanë bllokuar legalizimet, se kanë interesat e veta me vjedhë pronat tona. Erion Veliaj dhe Edi Rama të vijnë të japin llogari. Çfarë duhet të na bëjnë tjetër, veçse të na vrasin.
Banorët hodhën poshtë deklaratat e bashkisë se shumica e tyre kanë firmosur për prishjen e shtëpive, duke e konsideruar qëndrimin si përçarës dhe kundër interesit të tyre.



