
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në Shqipëri për nder të 110 vjetorit të Pavarësisë.
Nga Vlora, ai ka uruar ditën e 28 nëntorit, duke thënë se kjo ditë është pikënisja dhe pikëprerja e kombit, andaj duhet treguar unitet.
Sipas Kurtit, 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tone, dhe se duhet të jemi më shpesh bashkë dhe të punojmë bashkë, sepse duam dhe duhet.
Nëntori i Flamurit dhe Forcës
Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet.
Ndërkaq dje, ndërkohë që në Tiranë po mbanim mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, shënuam Ditën e Forcës. Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm.
Urime të gjithëve 28 Nëntori, Dita e Flamurit! Le t’i gëzohemi sukseseve të secilit shqiptar. Le t’i bëhemi krah secilit shqiptar.
Ndryshe, në vigjilje të festës së 28 nëntorit, të dielën e 27 nëntorit, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë mbajtur mbledhje të përbashkët.



