
Teksa ka vizituar banorët e Thumanës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi dështim menaxhimin e situatës nga shteti pas tërmetit të 26 nëntorit.
Gjithashtu, Basha shtoi se askush nuk u ka dhënë banorëve një vlerësim nëse banesat e tyre janë apo jo të banueshme.
“Sot vizitova disa familje në Thumanë, zona më e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Thumana nxorri në pah papërgjegjshmërinë dhe dështimin e kësaj qeverie që shkaktoi humbjen e 24 jetëve vetëm sepse nuk mori masa për pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe ai i korrikut 2018”, deklaroi Basha.
Ndërkaq, numri një i Partisë Demokratike vijoi më tej dukë thënë se kjo ndodh që mos të preken 150 milion dollarët që do të shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve.
“Përtej propagandës shteti ka dështuar turpshëm. Dhe e gjitha kjo vetëm që të mos preken 150 milion dollarët që shkojnë në xhepat e 10 oligarkëve. Mos reagimi i shpejtë ka rënduar gjendjen e tyre she po sjell probleme shëndetësore kryesisht tek fëmijët dhe të moshuarit”, vijoi më tej Basha.



