Sot në Tiranë u mbajt sesioni i 33-të i Asamblesë Rajonale të Frankofonisë për Evropën.
Sesioni u organizua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Rajonale e Frankofonisë për Evropën.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla nënvizoi se “Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë është një ndër organizatat më prestigjioze në botën e sotme, me një shtrirje horizontale në të gjitha kontinentet.
“Dimensioni parlamentar i Frankofonisë, Asambleja Parlamentare, i jep kësaj organizate një vlerë të shtuar, duke u bashkangjitur përpjekjeve për dialog midis kulturave e qytetërimeve edhe një kontribut të ligjvënësve nga të pesë kontinentet, për garantimin e paqes e të harmonisë midis kombeve. Prandaj prania e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë është një mundësi për të rritur kontributin për kulturën, sigurinë dhe paqen. Prandaj Kuvendi i Shqipërisë bëri më të mirën për të organizuar këtë sesion të Asamblesë rajonale të Frankofonisë”.
Gjatë ceremonisë së hapjes së sesionit, u dorëzua titulli “Kalorësi i Madh i Urdhrit të Pleiadës, i Frankofonisë dhe i Dialogut mes Kulturave”, akorduar nga Organizata e Frankofonisë shkrimtarit tonë të njohur botërisht, Ismail Kadare.
Titulli iu dorëzua shkrimtares Helena Kadare, bashkëshortes së shkrimtarit Ismail Kadare.
“Zonja dhe zotërinj të frankofonisë, jam shumë e nderuar që ndodhem këtu mes jush. Vij këtu në vend të bashkëshortit tim Ismail Kadare që në këtë moment është i lodhur. Ne të dy së bashku jemi izoluar në breg të detit për shkak të pandemisë dhe kjo gjendje nuk e lejoi të vinte sot këtu. Ai do të ishte shumë i lumtur po të ishte sot këtu në një moment kaq të rëndësishëm. Faleminderit dhe nga ana ime për këtë dekoratë, për këtë nder që i bëni ju Ismail Kadaresë.”



