
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se autoritetet në Serbi janë duke zhvilluar hetim për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës.
Në konferencën për media të mbajtur të dielën, ai tha se autoritetet serbe po zhvillojnë një hetim për një shpërthim ndaj një kanali të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke i hedhur poshtë përsëri akuzat e autoriteteve kosovare se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike kosovare.
Sipas tij, ka pasur tentativë për sulm hibrid ndaj vendit të tij.
Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe hibrid ndaj vendit tonë, pasi kemi ndjekur me kujdes gjithçka që është paralajmëruar nga zyrtarët e Prishtinës dhe sponsorët e tyre ndërkombëtarë .
Jemi më të qetë se ata dhe do të insistojmë më shumë. Në valën e parë ata akuzuan Beogradin dhe Serbinë, jo serbët, teksa Beogradi dhe Serbia nuk ja kishin idenë. Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe, si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti.
Ai tha se hetimet do ta zbardhin të vërtetën, sepse “edhe ne po zhvillojmë hetimin tonë”.
“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë kryerësi”, ka shtuar Vuçiç, raportoi mediumi serb “Danas”.
Presidenti i Serbisë, tha poashtu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është “befasuar” nga sulmi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
A e dini çka ndodhi nëntë minuta pasi Kurti kinse u njoftua? Nuk ishte edhe aq befasi për të. Pas nëntë minutave i dërgoi kërkesë KFOR’it për ta çuar FSK’në në veri të Kosovës.
Po i pyes pjesëtarët e NATO’s, se a jam duke e thënë të vërtetën.
Të mërkurën janë bisedimet në Bruksel. Të gjithë e dinë që Serbia po përparon shpejtë, andaj është e rëndësishme që të ndalet Serbia nga të qenurit pjesë e historisë me Berlinin dhe Parisin.
Presidenti serb tutje e ka akuzuar Policinë e Kosovës se nuk ka bërë hetim serioz në lidhje me rastin.
Shpërthimi në mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin-Potokut.



