Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ndërsa ndodhet në një takim zyrtar në Hungari mbi bashkëpunimin bilateral në ekonomi, shëndetësi dhe arsim, së bashku me kryeministrin Edi Rama, është takuar gjithashtu dhe me homologun e saj hungarez, Laszlo Palkovics.
Pas takimit me Palkovics, Balluku në një deklaratë për mediat bëri me dije pikat e mundshme të bashkëpunimit që dy vendet mund të kenë në fushën e Energjisë, Teknologjisë dhe Informacionit.
“Kemi diskutuar të gjithë këto sektorë, jemi përqendruar më shumë te energjia, duke qënë se është një sektor sensitiv për Hungarinë dhe Shqipërinë.
Kam kërkuar nga kolegu hungarez që ne të kemi mundësinë që të presim në Tiranë investitorë të fushës së energjetikës dhe figura të rëndësishme të kërkimit pasi ai vetë ma ka ofruar këtë mundësi.
Pra profesorë dhe inxhinierë që punojnë në disa fusha për llogari të ministrisë në anën kërkimore, që do të ishin në ndihmë të gjitha proceseve që kemi për zhvillimin e transportit dhe energjisë dhe teknologjisë në Shqipëri.
Kemi diskutuar edhe për mbështetjen që mund të marrim për universitetet pasi ministria e Teknologjisë dhe Inovacionit ka një pjesë të universiteteve në menaxhim. Kështu që fusha e bashkëpunimit është shumë e gjerë.
Kemi diskutuar për inovacionin e energjisë së prodhuar, duke qënë se Shqipëria është një vend që prodhon energji të madhe eklektrike gjatë dimrit, dhe gjatë verës kemi mungesë të saj. Pra jo vetëm rritjen e kapaciteteve, por edhe krijimin e një depozite për ruajtjen e saj.”, u shpreh Balluku.



