31 deputetë nga Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Partia Republikane kanë mbërritur pasditen e kësaj të marte në Strasburg ku për tri ditë do të takohen me europarlamentarë për tu shpjeguar pretendimet e tyre se në Shqipëri opozita po përndiqet politikisht.
Burime nga grupi i deputetëve që ndodhen në Strasburg bëjnë me dije për MCN se takimet e para janë zhvilluar nga deputetët Jorida Tabaku dhe Fatmir Mediu. Ndërkohë të mërkurën më datë 23 një pjesë e deputetëve që kanë udhëtuar drejt Parlamentit Europian do të protestojnë jashtë parlamentit me pankarta dhe me bluza në të cilat do të ketë mesazhe që vijnë nga Shqipëria, ndërsa një kryesi e këtyre deputetëve do të zhvillojnë takime me funksionarë të Parlamentit Evropian në lidhje me situatën në Shqipëri.
Partia Demokratike dhe opozita pretendojnë se kryeministri Rama kontrollon të gjithë pushtetet në Shqipëri dhe po përndjek politikisht liderët e opozitës.
Po ashtu opozita thotë se nuk gëzon besimin te kryeministri Rama për të zhvilluar zgjedhje të barabarta ndaj kërkon qeveri teknike.



