
Në Kuvend është zhvilluar një debat i gjerë mbi investimin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, ku deputetët e Partisë Socialiste Taulant Balla, Pirro Vengu, Ardit Bido dhe Erion Braçe kanë mbrojtur projektin, ndërsa çështja e pronave dhe protestat në zonë kanë sjellë përplasje të forta politike.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, vuri theksin te rritja ekonomike dhe rëndësia e investimeve të huaja, duke ironizuar edhe opozitën.
“Investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me të paktën 2.5 herë”, tha Balla, duke shtuar gjithashtu se bëhet fjalë për “një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë”.
Deputeti Pirro Vengu e cilësoi të domosdoshëm zhvillimin e projekteve të mëdha, duke theksuar se vendi nuk mund të refuzojë investime të tilla.
“Kush mund të jetë kaq naiv të mendojë që kemi luksin të refuzojmë investime të tilla?”, deklaroi Vengu në Kuvend, duke e lidhur projektin me nevojën për siguri ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ardit Bido, nga ana e tij, e mbrojti projektin duke e lidhur me zhvillimin turistik dhe me konfliktet e pronësisë në zonë.
“Në protestë pamë dy kategori të ndryshme”, tha Bido, duke shtuar se një pjesë e banorëve kanë pretendime pronësore, ndërsa të tjerë sipas tij kundërshtojnë zhvillimin e zonës dhe investimet.
Ndërkohë, Erion Braçe u ndal te problematika historike e pronave në vend, duke e lidhur situatën aktuale me ligjin 7501 dhe proceset e viteve ‘90.
“Procesi i turpshëm i shndërrimit të tokës… ka sjellë këto shqetësime”, tha Braçe, duke theksuar se problemet me pronësinë në Vlorë dhe më gjerë kanë rrënjë të hershme dhe kanë ndikuar në konfliktet e sotme për zhvillimin e zonës.



