
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha po zhvillon një mbledhje në selinë blu paraditen e sotme me kryetarët e degëve për menaxhimin e situatës së COVID-it nga qeveria dhe aksionin opozitar.
"Kjo është koha ku ne të jemi në terren, aty ku është vuajtja", u tha Basha strukturave të Partisë Demokratike.
Tashmë pritet për t'u parë nëse do të ketë ndonjë vendim konkret për aksionin pas diskutimit me kryetarët e degëve.
Në 23 prill lideri demokrat mblodhi aleatët, ndërkohë që dy ditë më pas, në datë 25 po të muajit të kaluar ai zhvilloi një takim me strukturat duke u kërkuar që të dalin në terren.
Basha diskutoi me aleatët mbi aksionin dhe qëndrimin e unifikuar të opozitës për mënyrën e përballimit nga qeveria të situatës së krijuar nga COVID-19.
Të pranishëm ishin të gjithë aleatët, ndërsa Monika Kryemadhi zgjodhi të mos shkonte vetë, por të dërgonte Petrit Vasilin.
Nga momenti i shfaqjes së koronavirusit në vend, daljet e Kryemadhit kanë qenë të rralla.
Pas mbledhjes 90 minuta në selinë blu duke respektuar distancimin, koalicioni opozitar doli me një deklaratë të përbashkët duke akuzuar se qeveria dështoi me menaxhimin e situatës ndaj COVID-19 dhe i kërkuar asaj të rishikojë urgjent paketat ekonomikë të cilat i quan gjysmake, të ndihmohen të gjithë të prekurit nga kriza dhe ka përsëritur kërkesën e saj të hershme për anulimin e koncesioneve për të cilat sipas saj qeveria paguan mbi 100 milionë euro.
Në deklaratë theksohej se koalicioni opozitar kërkon transparencë për çdo qindarkë të shpenzuar për përballimin e krizës si dhe të bëhen publike kontratat e klasifikuara sekret.
Opozita kërkoi gjithashtu që Prokuroria të nisë hetimin urgjent të rasteve të korrupsionit të bëra publike gjatë emergjencës.



