Avokati Redi Ramaj thotë se protesta është momenti më i mirë i Shqipërisë. Sipas tij, ajo është kthyer tashmë në një protestë kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Mendoj se është momenti më i mirë që i ka ndodhur Shqipërisë. Sa herë ka demonstrim demokracie, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një shteti. Shqipëria është një vend me shumë probleme dhe duhet të protestohet. Protesta lindi prej një situate në Zvërnec, shqiptarët nuk e duan korrupsionin dhe keqqeverisjen, ndaj protestojnë.
Lidhur me hetimet për Albanian Files, Ramaj tha se ajo ka elementë të mjaftueshëm për të shkuar drejt konkluzioneve.
Dosja ka elementë të mjaftueshëm për të hetuar dhe më pas për të dalë në konkluzione. Prokuroria duhet të hetojë si janë krijuar kompanitë offshore dhe si është shitur si një investim shumë i madh, kur bëhet me korrupsion të hapur dhe duke tjetërsuar prona. Flitet për investitorë të huaj, por siç e shohim janë kompani të kamufluara që nuk kanë për qëllim zhvillimin por fitimin e vet.
Ramaj tha më tej se në rast se provohet tjetërsimi i pronës, i gjithë dokumentacioni i falsifikuar shkatërrohet.
Si rasti i Zvërnecit ka shumë në Shqipëri. Mendoj që Zvërneci nga aq sa ka dalë nga media është rasti kur është ndërhyrë brutalisht në mënyrë që disa persona ta tjetërsojnë atë pronë. Nëse falsifikimi provohet nga hetimi, pronari i ligjshëm ka të drejtë ta kërkojë atë pronë. Më pas çdo marrëveshje duhet të kalojë përmes pronarit. Procedura parashikon shkatërrimin e çdo dokumenti të falsifikuar.



