Anëtari i Këshillit Bashkiak Vlorë, Gjergj Nika, zgjedhjet që po zhvillohen në rrethe për Partinë Demokratike, i sheh si përjashtim të zërave kundër dhe largimin e tyre nga lista.
Ndërsa ish-kandidati për deputet në Partinë Demokratike, Ndrec Pjetri, tha për edicionin e lajmeve në MCN TV se mungojnë rregullat e lojës dhe se nuk ka vullet për zgjedhje, por vetëm për mbajtje peng.
Gjergj Nika:
Dega Vlorë e ka mbaruar zgjedhjen e kryetarit para dy javësh dhe ristrukturimin e ka bërë në dy muajt e fundit. Në degën e Vlorës nuk janë pranuar zërat kundër. Edhe pse nga zgjedhjet ka dalë zonja Nadire Meçorapaj, në listën e anëtarësisë, kanë votuar 600 anëtarë, por në këtë listë janë hequr të gjithë zërat kundër në këto vite.
Edhe unë në atë listë nuk e kam pasur emrin si anëtar, edhe pse jam anëtar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak Vlorë dhe kreu i grupit të këshilltarëve. Dega e Vlorës e ka mbyllur historikun e zgjedhjes së kryetarit të degës. Është e pamundur të ketë frymë të re opozitare në PD, nëse nuk jemi bashkë. Ne nuk krijojmë dot frymë te qytetarët sepse ne nuk rregullojmë dot shtëpinë tonë.
Ndrec Pjetri:
Nuk kemi as rregulla të qarta loje dhe as një komision që e drejton këtë punë. Kandidati përcakton se kush është kandidati tjetër. Duhet ngritur një komision i Partisë Demokratike, nuk mund të zgjedhin kandidatët njeri tjetrin.
Brenda Partisë Demokratike nuk ka vullnet për zgjidhje apo zgjedhje, por vetëm mbajtje peng. Partia Demokratike është aset i gjithë shqiptarëve, se është forca më e madhe politike në vend. Në momentin që në Durrës nuk është vendosur asnjë lloj rregulli për garën, problemet janë nga më të ndryshmet.



