
Qeveria e Kosovës ka liruar nga detyra Danijela Vujiçiç, Jelena Boloviç, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviç, katër anëtarët serbë të Ekipit Menaxhues për përgatitjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ky vendim ka ardhur pas takimit të djeshëm në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia s’u pajtuan për Asociacionin.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë ditur se sot ka marr vendim për lirimin nga detyra të Ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status.

Një ditë më parë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, kryesuesja e Ekipit Menaxhues për hartimin e Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Danijela Vujiçiç, ka pretenduar se pala kosovare, përkatësisht kryeministri Albin Kurti dhe shefi i ekipit negociator, Besnik Bislimi, nuk kanë dashur të dëgjojnë prezantimin e Draft-Statutit.
“Anëtarët e delegacionit të Prishtinës, Kurti dhe Bislimi, vazhdimisht na shanin, nuk na linin të flisnim, talleshin dhe ishin të vrazhdë, na u drejtuan me përbuzje dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç reagoi ashpër për këtë”, tha Vujiçiç para gazetarëve, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.
Ajo shtoi se përfaqësuesve të Ekipit Menaxhues iu dhanë 30 minuta kohë për ta prezantuar Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke pretenduar se pala kosovare iu ka bërë presion gjatë gjithë kohës.
Përveç fjalës hyrëse që mbajta, kishim vetëm 30 minuta siç e kishte parashikuar BE-ja. Ishte e pamundur të prezantoheshin 67 nene dhe nëntë kapituj në 30 minuta, por përmes prezantimit arrita të them se tani puna më e madhe është që delegacioni ta lexojë draftin nen për nen dhe palët të bëjnë vërejtje të caktuara.
Pas përfundimit të takimit dje në Bruksel, Albin Kurti tha se drafti që propozoi ekipi serb për Asociacionin binte ndesh me Kushtetutën e vendit.
Vendimi i parë për themelimin e këtij Ekipi ishte marrë në qershor të vitit 2013, në kohën kur Qeveria drejtohej nga Hashim Thaçi. Vendimi i dytë ishte marrë në qershorin e 2016-s, gjatë qeverisjes nga Isa Mustafa, kurse i treti në shtator të 2020-s, gjatë Qeverisë së Avdullah Hotit.



