Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kryetares së Kuvendit, se është falsifikuar procesverbali, ku i është mohuar e drejta e fjalës deputetëve të opozitës. Ai kërkoi nga Nikolla se kush e ka falsifikuar këtë procesverbal.
Meqë është pika e procesverbalit, të gjithë shqiptarët presin se kush e mori vendimin për të pezulluar këtë të drejtë të deputetëve opozitar. Kush e vendosi këtë gjë? Ka gjithmonë një vendim. Ça është këtu pazari i gjësë?! Do bëhet seanca viktimë e sikleteve, frikërave apo problemeve politike që ka kryeministri. Kush e mori vendimin zonjë që votimi i 54 vetave mos të kryhet?! Ky nuk është më parlament, është Pazar i gjësë së gjallë. Më thoni se kush e mori vendimin? Këtu thuhet që nuk i jepet e drejta 54 deputetëve. Na thoni se pse nuk është kërkesa jonë në procesverbal. Nëse nuk e keni pasqyruar kërkesën, ndaleni seancën. Nuk jemi këtu që të falsifikojmë. Mos e ktheni Kuvendin në batak falsifikimesh.
Ndërsa deputeti i PD, Ervin Salianji i kërkoi kryetares së Kuvendit të thërrasë në seancë kryeministrin Rama që të flasë për skandalin e Charles McGonigal. Ai tha se nëse kreu i qeverisë nuk është i pranishëm, nuk mund të ketë seancë në Kuvend.
Të gjithë deputetët duhet të flasin për aferën e kryeministrit për të korruptuar një zyrtar të lartë të FBI. Ne e kërkojmë kryeministrin për një aferë personale. Duhet të vijë dhe të japë përgjigje. Ju nuk mund të caktoni dot se cilët janë deputetët që bëjnë debat. Të gjithë të dalin dhe të diskutojnë. Ndryshe nuk ka kuptim seanca. Dje kryeministrit i doli skandali i avionit personal. Tha që e kam pa lekë, dje i doli kontrata e Shërbimeve Qeveritare. Pranoni kërkesën për mocion me debat, ti japim seancë parlamentarizmit. Ndryshe nuk mund të ketë seanca. Ka mundësi të ktheni përgjigje për këtë dhe t’i japim drejtim seancës.
Nga ana e saj dhe deputetja Jorida Tabaku është shprehur se Kuvendi po kthehet në një zyrë të qeverisë, e ndërsa duket se çështja McGonigal, ka bashkuar demokratët. Ajo është shprehur se duhet të mbahet edhe mocioni me debat i kërkuar nga deputetët e Sali Berishës dhe interpelanca, e kërkuar nga grupi i Alibeajt.
Javën e kaluar iu hoq fjala gjysmës së parlamentit nuk mundet që në momentin kur kërkohet që roli i tij të forcohet nuk mundet parlamenti të kthehet në zyrë të qeverisë, të drejtën e fjalës tonë nuk na e hiqni dot, sot deputetët e opozitës kanë nevojë për transparencë, çdo gjë që kemi thënë në të shkuarën është vërtetuar, duhet transparencë, kush po gënjen, nuk mund të fshiheni përjetësish. Unë vij në parlament se jam votuar për të folur që të mbaj qeverinë përgjegjëse, kërkesën për mocion, na takon që të mblidhemi, ta diskutojmë, ta vendosim, ndërkohë që të vazhdojë edhe interpelanca, ligjet e tjera janë shumë të rëndësishme, lëri deputetët të ushtrojnë.



