
Fill pas votimit pro të ndryshimeve Kushtetuese për zgjatjen e organeve të vetingut, ka ardhur edhe reagimi i ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca.
“Sot Parlamenti shqiptar tregoi vendosmëri të fortë ndërpartiake për të ecur përpara në pranimin në Bashkimin Evropian”.
Soreca duke shprehur mirënjohjen për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, e cilësoi këtë si një moment historik dhe vendimtar për rrugën drejt përfundimit të Reformës në Drejtësi.
“E rëndësishme që organet e vetting-ut të vazhdojnë punën e tyre, me profesionalizëm dhe integritet më të lartë, për të siguruar një finalizim të suksesshëm dhe të shpejtë të procesit. Kjo ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”.
Nga ana tjetër ai theksoi se i mirëpret dhe vendimet e tjera të propozuara nga opozita-Partia Demokratike – për të çuar përpara në komisionet ad hoc të Kuvendit punën për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, si dhe për reformën territoriale, duke ruajtur arritjet e deritanishme.



