
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Ragmi Mustafa, Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe Zëvendëskryetar i Komunës së Preshevës, i cili i dorëzoi Çertifikatën e Mirënjohjes nga PDSH për kontributin e Kuvendit shqiptar, në mbështetje të të drejtave dhe të ardhmes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Mustafa e informoi Kryetarin e Kuvendit mbi situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës si edhe përpjekjet e partive politike shqiptare dhe të organeve të qeverisjes vendore, për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre nga Serbia.
Mustafa kërkoi gjithashtu rritjen e mbështetjes së Shqipërisë dhe Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ruçi falenderoi Ragmi Mustafën dhe Partinë Demokratike Shqiptare dhe vuri në dukje se, “Kuvendi i Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë na mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Është e rëndësishme që forcat politike dhe organet e qeverisjes vendore në Luginë, pavarësisht dallimeve politike apo për çështje të tjera, të jenë në koherencë të plotë dhe unitet midis tyre për çështjen kombëtare dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në Luginë. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës si edhe diplomacia e të dy vendeve”.



