Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot senatorin amerikan, Steve Daines, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Senatori Daines shoqërohej në këtë takim nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.

Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera të partneritetit strategjik, Presidenti Begaj vlerësoi se, vizita e senatorit Daines në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve dinamike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj nënvizoi se, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie parësore për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Duke iu referuar lidhjeve të forta miqësore e njerëzore, Begaj vlerësoi se ato janë shumëdimensionale dhe shumë dinamike dhe se Shqipëria do të mbetet një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të reformave të domosdoshme për forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, ku padyshim reforma në drejtësi ka marrë vëmendjen kryesore.

Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë me SHBA-në.

Transformimi, modernizmi dhe niveli i lartë profesional që Forcat e Armatosura zotërojnë sot si anëtarë të denjë të NATO-s, janë edhe falë kontributit dhe mbështetjes së dhënë nga SHBA në fushën e arsimimit, pajisjes me kapacitete moderne dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Seria e stërvitjeve “Defender Europe”, krahas demonstrimit të aftësive profesionale, kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë në mbrojtje të vlerave euro-atlantike është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve ndërnjerëzore ndërmjet ushtarakëve të dy vendeve.

Begaj shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes agjencive të specializuara të të dy vendeve për përballimin e sulmeve kibernetike të vitit të shkuar nga aktorë të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, si dhe e informoi Senatorin mbi vendimin aspak të lehtë, por të drejtë, të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.