Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, njëherit kandidat për kryetar në këtë parti, ishte sonte në një takim me demokratët në qytetin e Fierit, nga ku ripërsëriti faktin se PD nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit.
Basha, duke ftuar demokratët për votimin e së dielën, tha se në atë ditë, sytë e shqiptarëve do jenë përsëri drejt PD-së, si e vetmja shpresë për demokracinë dhe ndryshimin që njerëzit duan në Shqipëri.
“Kësaj radhe pakica e kriminelëve e oligarkëve e politikanë ve të korruptuar me Edi Ramën janë mbivendosur dhunshëm shumicës ndaj shumica ka të gjithë të drejtën të kërkojë drejtësi për padrejtësinë e 25 prillit. Ndërsa ne jemi e vetmja forcë politike që kemi fuqinë dhe moralin, kemi të drejtën dhe detyrën ta organizojmë këtë shumicë drejt betejës dhe drejt përmbysjes së regjimit. Ndaj miqtë e mi për këto arsye sytë e shqiptarëve do jenë përsëri te Partia Demokratike e Shqipërisë këtë të diel, pasnesër, siç ka qenë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të historisë tonë sepse shqiptarët do të presin përgjigje nga 13 qershori për masakrën zgjedhore. Një përgjigje të saktë dhe të fortë për rënien e demokracisë, për pengimin e dhunshëm të ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëse nga 13 qershori ne do të pranojmë kokë ulur padrejtësitë që rëndojnë mbi demokratët dhe shqiptarët, nëse do të pranojmë në heshtje apo me alibi modelin e Edi Ramës, të oligarkisë, krimit, pushtetit dhe shtetit bërë njësh, atëherë të jeni të sigurt që na pret një natë e gjatë e ngjashme me atë që lamë pas në vitin 1990-të falë kurajës së themeluesve tanë të lëvizjes së dhjetorit dhe atyre që qëndruan përballë diktaturës. Po unë e di që me 13 qershor nga Fieri do të buçojë fuqishëm përgjigjja, përgjigjja që presin shqiptarët. Ne do t’i themi jo masakrës zgjedhore. Ne do t’i themi jo hijes së diktaturës që po vërtitet përsëri mbi vend. Ne do themi jo pengmarrjes me dhunë shumicës nga pakica të bashkuar, siç u futëm në betejën e 25 prillit edhe më të fortë, edhe më të fuqishëm, edhe më të mëdhenj seç hymë në atë betejë, tani më me sytë e dëshpëruar të shqiptarëve që nuk kanë shpresë tjetër, ne do ti japim një përgjigje kumbuese çdokujt që ka vënë bastin se duke na përçarë, duke na çoroditur, duke na futur në mosbesim e në dyshim me vetveten e me njëri-tjetrin, mund të na shmang nga fokusi i vetëm, nga objektivi i vetëm i kësaj beteje që është rrëzimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe regjimit të tij.



