Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se një orë e bllokuar në Tiranë janë disa milionë euro shpenzime të qytetit. Deklaratat e tij në lidhje me protestën e opozitës u bënë gjatë nisjes së punës për ndërtimin e 14 të lojërave dhe sheshit rekreativ në Njësinë 5.
"Edhe në një ditë si kjo e sotmja, kur patëm bllokim rrugësh, njerëzit duhet të kuptojnë se një orë e bllokuar në Tiranë, janë disa milionë euro shpenzime të qytetit, në shërbime të munguara në transport, në punë të pambaruara. Uroj që ata që e kishin në dorë për ta bërë Tiranën me të gjithë këto investime për 4 vjet, të kuptojnë se duke e bllokuar, thjesht u kujtojnë njerëzve se si e bllokuan 4 vjet me gjumin në Bashki, ndërkohë që shumë prej këtyre punëve mund të ishin bërë përpara 4 viteve", Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e këndit të 14 të lojërave dhe sheshit rekreativ në Njësinë 5, dhe përfshin module të ndryshme lojërash, ndriçim dhe gjelbërim të zonës.
Ky shesh do të shërbejë jo vetëm për argëtimin e fëmijëve, por edhe si një hapësirë çlodhëse për të gjitha grupmoshat. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, siguroi se këndi i ri do të përfundojë shumë shpejt, para se fëmijët të fillojnë pushimet e verës.
Ai deklaroi se krahas këtyre investimeve, Bashkia do të vijojë punën edhe për realizimin e projekteve madhore, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm jo vetëm infrastrukturën, por edhe shërbimin ndaj qytetarëve.



