
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka nisur sot një vizitë në Japoni, gjatë së cilës, do të takohet me homologun e tij, ministrin për Punët e Jashtme të Japonisë, Taro Kono.
Në fokus të kësaj vizite është bashkëpunimi dypalësh dhe thellimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Gjatë ditës së sotme, ministri Bushati zhvilloi takime me ministrin japonez të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko, Presidentin e Federatës Japoneze të Biznesit, Yoshio Sato, si edhe mori pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast nga Ambasada e Shqipërisë në Tokio "Një ditë shqiptare në Tokio", për promovimin e fushave dhe veprimtarisë së biznesit shqiptar në tregun japonez dhe të Shqipërisë si një destinacion potencial për investitorë japonezë."
Në takimin me ministrin e Ekonomisë, Hiroshige Seko, u diskutua në lidhje me stadin aktual të marrëdhënieve ekonomike, intensifikimin e mëtejshëm të tyre dhe përqendrimin në fusha specifike si infrastruktura, turizmi dhe bujqësia.
Në fjalën e tij në aktivitetin "Një ditë shqiptare në Tokio", ministri Bushati nënvizoi se "Shqipëria është një vend me potencial të lartë për të investuar dhe një platformë solide për zgjerimin e investimeve japoneze në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në përfundim të ditës së parë të vizitës, ministri Bushati dhe përfaqësuesit e biznesit shqiptar zhvilluan një takim të frutshëm me Federatën Japoneze të Biznesit, ku u diskutua mbi mundësitë dhe fushat kokrete për të investuar në Shqipëri si energji, turizëm dhe infrastrukturë, dhe mënyrat për të rritur shkëmbimet tregtare me Japoninë. "Ne vlerësojmë vemëndjen e shtuar të Japonisë ndaj rajonit tonë dhe Iniciativa e Ballkanit Perëndimor përbën një instrument të rëndësishëm për promovimin e marrëdhënieve më të ngushta midis vendeve tona", u shpreh ai.
Ministri Bushati siguroi interlokutorët japonezë që Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik dhe reformave të ndërmarra për zhvillim dhe në përafrimin e saj me BE-në, aktualisht përbën një portë hyrëse shumë të favorshme për investime të huaja për një treg edhe më të madh përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.



