Gazetari Denis Dyrnjaja duke folur në MCN Live e konsideroi një gabim ose gafë taktike kandidimin e Belind Këlliçit për bashkinë e Tiranës. Sipas Dyrnjasë Këlliçi është një politikan i ri, me mendësi të re, por në kushtet kur ndodhet sot opozita ai rrezikon të digjet si kandidaturë. Gazetari solli në vëmendje që të njëjtën gjë Berisha e ka bërë në të shkuarën me kandidatë si Mustafaj, Ngjela, apo Olldashi.
Gabim taktik i opozitës. Në zgjedhje duhet të shkosh zakonisht me dy forma. Në zgjedhje ti do futesh gjithkund, por ti e di se ku do fitosh ose jo. Duke e marrë të në një moment kaq të dobët, sa është opozita, pavarësisht gjithë pretendimeve dhe karikimit politik, elektoral dhe militantesk, që PD evokon, për të mbajtur strukturën në këmbë, gjendja brenda PD-së s’është ajo që reflektohet në debate politike, në konferenca për shtyp. Flas për Foltoren, se krahu tjetër s’ka as komisionerë. Duke e marrë të mirëqenë dhe solide opozitën e 25 prillit, të zgjedhjeve të 2021-shit, që dha gjithë bateritë e veta dhe s’arriti të prodhojë fitoren e shumëpritur kur mendohej se gjithçka flitej për opozitën, dolën me lajm ne fituam zgjedhjet dhe pastaj pllakosi heshtja! Në këto kushte që është opozita sot, futja e Belind Këlliçit është gafë taktike sepse e djegin si kandidaturë. Mund të kishin futur një figurë më 'soft' për këto zgjedhje, sepse i kanë të humbura, për ta ruajtur atë si figurë.
Berisha ka djegur figura të rëndësishme në zgjedhjet në Tiranë. Ka djegur Sokol Olldashin. Ka djegur Spartak Ngjelën, Besnik Mustafajn, përballë Ramës. Do ishte e udhës që me atë vrull që ka Veliaj, në kuptimin e punës që bën dhe fushatës që bën, se mund të mos i ketë fare të barabarta vlerën e fushatës me vlerën e punës, apo promovimit, mund t’i ketë disproporcionale. Perceptimi është shumë i fortë për prezencën e tij. Disa punë janë bërë, rrugë janë shtruar, Tirana ka ndryshuar. A janë ndërtuar kulla? Patjetër që janë ndërtuar. A s’e mbajti premtimin? Patjetër që s’e mbajti. A po manipulon premtimin e vet që do shtrihemi në ajër? Sigurisht të gjitha këto janë kosto për të. Por kjo s’e dobëson përballë PD-së, e cila ka dobësuar veten e saj. Po të vinte solide, të nxirrte Belind Këlliçin pse jo...
Ky procesi i primareve ishte i gënjeshtër, ne nuk na tha të vërtetën. Ne s’mund të bëjmë si budallenj, që dalin 7 veta dhe i bëjnë reklamë njëri-tjetrin. Primare do të thotë që kandidatët të kacafyten në kuptimin metaforik, për të nxjerrë më të mirin në një garë. Që shpaloset çdo pikë force dhe dobësie. Ne s’kuptuam asgjë nga kandidatët se kush ishin pikët e dobëta. Ata vendosën atë që vendosi Berisha, që ishte z.Këlliçi. Berisha po djeg z. Këlliçi në këtë rast. Unë kam shumë respekt për Belindin. Është brez i ri, politikan i ri, me mendësi të re, të hapur, një shpresë për të ndryshuar politikën në të ardhmen. Është gjynah ta djegësh për ego momentale politike. Ai është i ri, ai e ka besuar dhe e beson fitoren. Ai beson, unë kam folur me Belindin. Kemi pasur një bisedë interesante, gati polemikë të shkurtër, dhe tha do zhgënjehesh, do ta shohim në 15 maj. Unë dua që kjo të ndodhë dhe unë të zhgënjehem, Tirana të ndryshojë dhe të kuptojmë që mund të qeveriset ndryshe. Problemi është a e bën dot. Nuk mund të dalë nga llogaria e ftohtë, është tjetër gjë emotiviteti. Kur i thoja në 2016, 2017, 2018, 2019 këto gjëra për Bashën, më thonin që bën lojën e Ramës. Thoja që ky njeri s’ndez në opozitë. Paaftësinë e Bashës e kam parë që në krye të herës, sepse e ngriti Berisha me patericat e tij, nuk erdhi si zgjedhje, si frymë e demokratëve”.



