
Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet lokale 2019 në Shqipëri deklaroi se për zgjedhjet e 30 qershorit do të varet nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të bëjnë me rezultatet e tyre, ndërsa e cilësoi kryerjen e reformës zgjedhore në Shqipëri të domosdoshme dhe një orë e më parë.
Në një intervistë për Deutche Welle (DW), ambasadorja Glover thekson se “nuk ka mbaruar ende gjithë cikli i procesit zgjedhor. Jemi duke parë me shumë interes ankimimet, që janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor”.
“Jam shumë e kënaqur që në zgjedhjet e të dielës vështirë se pati ndonjë akt të rëndë dhune. Zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe në rregull, gjë që është shumë e mirë, duke marrë në konsideratë se sa shumë dhunë ka patur në zona të ndryshme të vendit, sa të dhunshëm kanë qenë muajt e fundit. Por, përderisa procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ende nuk mund të përshkruaj atë në tërësi”, – tha Glover.
Ambasadorja Glover theksoi se “përcaktimi i zgjedhjeve varet nga autoritetet e këtushme, varet se ҫfarë kanë ndërmend të bëjnë si rezultat i kësaj situate. Ne mund të nxjerrim në pah, të tregojmë se si ishte situata, por janë autoritetet e Shqipërisë që do të vendosin se ҫfarë do të bëjnë në të ardhmen, si pasojë e bojkotit të opozitës dhe zgjedhjeve pa kundërshtarë”.
Duke e cilësuar mospjesëmarrjen e opozitës të pazakontë, Glover tha se “zgjedhjet janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Për zgjedhjet e 30 qershorit do të varen nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të bëjnë me rezultatet e tyre”.
“Të gjitha vendet anëtare të OSBE-së kanë nënshkruar angazhimet e tyre lidhur me standardet e zgjedhjeve demokratike. Por, është shteti, autoritetet e këtushme që do të vendosin se ҫfarë do të bëjë me zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk na takon ne të vendosim. Ne do të shkruajmë raportin dhe do të bëjmë rekomandime”-, nënvizoi ajo.
Lidhur me qëndrimin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Glover u shpreh se “në raportin tonë përfundimtar do të ketë vlerësime dhe opinione të pa anshme për zgjedhjet lokale të 30 qershorit”.
Duke iu përgjigjur pyetjes se a sollën argumente shtesë, a vërtetuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit, se kryerja e reformës zgjedhore në Shqipëri është e domosdoshme dhe një orë e më parë, Glover theksoi se “kryerjen e reformës zgjedhore e kemi rekomanduar prej një kohe të gjatë. Shqipëria duhet të ketë një sistem drejtësie që të funksionojë si duhet, të ketë Gjykatën e Lartë dhe më e rëndësishme të ketë Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të jetë pjesë e rekomandimeve edhe kësaj here në raportin tonë final. Për Shqipërinë është e rëndësishme të ketë një sistem ligjor dhe gjyqësor, që funksionon si duhet”, tha znj.Glover.



