Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, thotë se LSI-ja është kthyer në patericë të pushtetit të Ramës dhe në këto kushte duhet të shkëputet nga koalicioni i majtë. Në një intervistë për "Ora News", Paloka thotë se ky largim do të ishte shpëtim për vetë LSI-në.
“Kryetari i PD e ka bërë të qartë qëndrimin edhe ndaj LSI, është një parti jo vetëm në koalicion me Edi Ramën por për fat të keq është partia që është kthyer në patericë e Edi Ramës, është ajo që po e mban në qeveri pavarësisht kundërshtimeve formale apo nuk e di si mund t’i quaja ata që dalin herë pas here në media gjoja kundërshtime. Fakti është që Edi Rama gjithë zullumet i ka bërë i mbështetur nga vota e LSI. Sa i përket ndarjes apo jo të LSI unë e kam thënë dhe njëherë tjetër, nuk është PD që pret shpëtimin nga largimi i LSI nga koalicioni, shpëtimi nga largimi i LSI nga koalicioni do të jetë shpëtim për LSI jo PD. Dialogu mund të zhvillohet vetëm pasi Rama të japë dorëheqjen dhe të bjerë dakord për qeverinë teknike. Sigurisht që pasi të konkludohen për këtë pikë do të zhvillohen bisedime sepse qeveria teknike do të ketë disa detyra që duhet ti zbatojë dhe sigurisht kjo bëhet me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjitha partive”, thotë Paloka.



