Në Mal të Zi të dielën mbahen zgjedhjet presidenciale ku konkurrojnë shtatë kandidatë.
Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që nga përmbysja e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç që ishte në pushtet më shumë se tre dekada, kur në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA fituan shumicën në parlament.
Zgjedhjet presidenciale po zhvillohen në një mjedis krize institucionale dhe politike, kur dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale u shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare për në qershor.
Kundërshtarët kryesorë të zotit Gjukanoviç janë Andrija Mandiç, kreu i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus dhe Jakov Milatoviç, një politikan pro-perëndimor dhe nënkryetar i lëvizjes ‘Evropa Tani’.
Analistët në Malin e Zi, sipas VOA, vlerësojnë se kjo krizë është rrjedhojë e fërkimeve politike mes ithtarëve të pavarësisë dhe atyre që e kundërshtojnë pavarësinë e vendit nga ish-federata me Serbinë.
Në këtë kuadër ata vënë në dukje ndikimin negativ të ndryshimit të Ligjit për Presidentin që ndikoi edhe më shumë në situatën politike në vend.
Kjo situatë e ka devijuar Malin e Zi nga rruga europiane dhe mund të ketë pasoja të rrezikshme për të ardhmen e vendit.
Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më parë për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde.
Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.



