
Në një takim bilateral temë e diskutimit mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishin raportet mes Kosovës dhe Turqisë.
Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin turk Erdogan për përkrahjen që shteti i tij i jep Kosovës në vazhdimësi.

“Në një takim shumë përmbajtjesor me Presidentin Erdogan, biseduam për raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në shumë fusha”, ka shkruar Osmani në rrjete sociale.
E para e vendit ka shpjeguar se e përshëndeti mikpritjen dhe organizimin në SEECP dhe Antalya Diplomatic Forum.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur një polemikë sot me Përfaqësuesin e Lartë për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë.
Replikat kanë ardhur pas pakënaqësive rreth shpërndarjes së vaksinave anti-COVID-19.
“Nuk e shoh si momentin e duhur për të drejtuar gishtin drejt njëri-tjetrit, përkundrazi, që së pari të jemi falënderues për mbështetjen që kemi marrë dhe së dyti t’i trajtojmë sfidat që i kemi kaluar”, është shprehur Osmani.
Por, paraprakisht i ka thënë Borrell-it se shpërndarja e vaksinave nuk ka qenë e barabartë.



