Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ishte e pranishme sot pasdite në ceremoninë hapëse të vitit të parë akademik, të Kolegjit të Europës në Tiranë, ku morën pjesë gjithashtu kryeministri Rama dhe rektorja Mogherini.
Duke iu drejtuar studentëve, Von der Leyen u shpreh se studentët janë udhëheqës të Europës së sotme dhe të nesërme.
“Jemi në një moment historik të Europës, dhe sërish familja jonë për përgatitet për ribashkimin e saj, një bashkim në të cilin do të bëhen bashkë të gjithë popujt që jetojnë ndërmjet Detit të Zi dhe Adriatikut. Javën e shkuar, negociatat e Shqipërisë për anëtarësim kanë hyrë në një fazë të re. Së bashku ne hapëm grup-kapitujt e çështjeve themelore dhe nëse bëjmë punë të mirë, të gjithë grup kapitujt mund të hapen brenda vitet të ardhshëm dhe kjo është vërtet fantastike.Në këtë moment të rëndësishëm, Tirana është pararoja e integrimit europian dhe ju të dashur studentë jeni udhëheqësit e së Europës së sotme dhe të nesërme. Kjo ka për të qenë një dritare për të ardhmen tuaj, për një të ardhme ku shtetet e Ballkanit Perëndimor më në fund do jenë anëtare me të drejta të plota”, tha presidentja e KE.
Rama tha se ky grup studentësh do të jenë të trajnuar më së miri për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, duke u shërbyer të ardhmes së të dyjave.
“Është një tjetër shenjë shumë e fortë për mua që tashmë yjet e Shqipërisë janë në vijë të drejtë dhe që rruga jonë drejtë anëtarësimit është bërë tanimë e pandalshme, por nuk ka kohë më të mirë sesa tani për të pasur në Tiranë këtë grup studentesh, të cilët do të jenë të trajnuar më së miri për BE, por dhe për Ballkanin Perëndimor e që do të t’i shërbejnë të ardhmes së të dyjave bashkë”.
Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, e pranishme në ceremoni tha se interesi i të rinjve për të studiuar në këtë kolegj ishte shumë i lartë.
“Vitin e kaluar ishim këtu, në të njëjtin vend, në Samitin e Ballkanit Perëndimor, ku përuruam zyrën tonë dhe çfarë është më e rëndësishme çelem pranimet për studentët që do të aplikonin në degën e Kolegjit të Europës në Tiranë. Patëm 241 aplikime, kryem 122 intervista dhe përzgjodhëm 32 studentë, nga 21 kombësi, të cilat sot janë pionierët e parë që promovojnë Masterin e artit për transformimin europian e integrimin këtu në Tiranë, në Kampusin Jacques Delors.”



