Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përcaktuar sot numrin e mandateve për 12 qarqet e vendit, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.
KQZ ka vendosur që lista shumemërore e kandidatëve, që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit, të jetë e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve do të bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
Partitë politike duhet të paraqesin një listë të ndarë në dy pjesë: 46 kandidatë do të jenë në listë të mbyllur, ndërsa 140 do të jenë në listën e hapur, ku secili kandidat do të garojë për çdo votë.
Në detaje, për qarkun e Tiranës, i cili ka 37 mandate, 12 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 37 do t’i nënshtrohen votës.
Po ashtu, në qarkun e Durrësit, që ka 14 mandate, 5 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 14 do t’i nënshtrohen votës. Në qarkun e Fierit, me 16 mandate, 5 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 16 do t’i nënshtrohen votës.
Në qarkun e Korçës, me 10 mandate, 3 kandidatë do të jenë të renditur dhe 10 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Kukësit, me 3 mandate, 1 do të jetë në listë dhe 3 do t’i nënshtrohen votës.
Në qarkun e Lezhës, me 7 mandate, 2 do të jenë të renditur në listë dhe 7 do t’i nënshtrohen votës.
Po ashtu, në Shkodër, me 11 mandate, 4 do të jenë të renditur në listë dhe 11 do t’i nënshtrohen votës; në Vlorë, me 12 mandate, 4 do të jenë të renditur në listë dhe 12 do t’i nënshtrohen votës.
Në qarkun e Beratit, i cili ka 7 mandate, 2 prej kandidatëve do të jenë të renditur në listë dhe 7 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Dibrës, me 5 mandate, 2 janë të renditur dhe 5 do t’i nënshtrohen votës.
Në qarkun e Elbasanit, me 14 mandate, 5 janë të renditur dhe 14 do t’i nënshtrohen votës, ndërsa në Gjirokastër, me 4 mandate, 1 kandidat do të jetë në listë dhe 4 do t’i nënshtrohen votës.
Gjithashtu, KQZ kujtoi se lista shumemërore duhet të respektojë kuotën gjinore.
Mospërmbushja e këtij detyrimi nga subjekti zgjedhor do të çojë në refuzimin e regjistrimit të listës shumemërore në KQZ.



