Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi në një konferencë për media ndau sot detaje nga ecuria e përgatitjeve të procesit zgjedhor, ku vend të veçantë zë këtë vit edhe votimi i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Ai njoftoi se deri tani janë regjistruar 51 parti politike si subjekte zgjedhore dhe se aktualisht po shqyrtohen dy kërkesa të tjera për regjistrim.
Celibashi sqaroi se afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore përfundon sot, në orën 24:00.
Ai poashtu ka deklaruar se data 9 mars mund të jetë afati i fundit për regjistrimin e diasporës, pasi duhet shpallur lista paraprake, kjo pas kërkesës së PD-së për shtyrjen e afatit për regjistrimin e diasporës që afati të mos përfundoj më 4 mars.
Celibashi tha deri më 9 mars mund të diskutohet për afate të tjera, por pa një amendim ligjor, nuk mund të ketë shtyrje përtej kësaj date.
Data 9 mars është një datë që ne nuk shkojmë dot përtej saj sepse është përcaktuar nga ligji. Deri në datën 9 ne mund të flasim dhe të diskutojmë për afate të tjera, pra nuk mund të shkojmë përtej datës 9. Ka qenë një kërkesë që të shtyhet afati për ditët, për ne s’ka problem, por PS s’ka qenë dakord me këtë ide duke thënë se data 4 është e njohur për të gjithë dhe se është afati i fundit dhe shtyrja për 2 ose 3 ditë nuk do të ndryshonte ndonjë gjë të madhe...
Nuk e ftojmë Postën Shqiptare në tender, vetëm operatorët ndërkombëtar që kanë përfaqësuesit e tyre në Shqipëri për të qenë pjesë së procedurës së përzgjedhjes. Negociata nis javën tjetër, nëse qeveria na jep fondet këtë javë.
KQZ i ka kërkuar Kuvendit dhe Ministrisë së Financave fonde shtesë prej 9. 3 milionë euro, për procesin e votimit të emigrantëve për zgjedhjet, për të cilën Celibashi pohoi se janë në diskutime me qeverinë për këtë fond shtesë.



