Rikonstruktohen godinat e Arkivit Qendror Shtetëror në Shkozë. Kryeministri Rama ka vizituar sot mjediset e rikonstruktuara të godinës së përfunduar.
“Pas 100 e kusur vjetësh edhe Shqipëria e ka më në fund infrastrukturën grumbulluese e mbrojtëse të Arkivit Qendror Shtetëror, sipas standardeve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e shtetit tonë. E tmerrshme se si për dekada e dekada, sidomos në vitet e rrumpallës demokratikase, memoria e dokumentuar e truallit shqiptar që nga shekulli VI dhe më pas e vetë shtetit shqiptar qysh nga 1912 u la në mëshirë të fatit, në kushtet e një turpi të pashoq që është në fakt pasqyra e patriotizmit fals të atyre që atdheun e trajtuan vetëm si avaz propagandistik e si plaçkë pushteti”, shkruan Rama.
Dy vjet më parë, TvT ka vizituar mjediset në Shkozë, ku ruhen 26 kilometra linearë dokumente, një pjesë e të cilave, në atë kohë, ruheshin në kushte të papërshtatshme.



