
Kryeministri Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës për përmbytjet dhe dëmshpërblimet e banorëve të zonave të prekura javët e fundit. Në seancën e sotme në Parlament, Rama tha se përmbytjet i gjetën të përgatitura të gjitha strukturat shtetërore, të cilat e përballuan situatën pa kërkuar ndihmën e fqinjëve. Në lidhje me dëmshpërblimet, Rama tha se janë likuiduar edhe ato që qeveria “Berisha” la pas.
“Ju e kthyet shtetin e Shqipërisë në karikaturën më qesharake. Flisni për ndihma. Ju ikët nga pushteti pasi hëngrët të gjitha groshët dhe orizin e bëtë pilaf. Morët edhe çizmet. Rezervat e shtetit i gjetëm trokë. Tani thoni çne këto ndihma. Ne nuk i kemi kërkuar ndihma askujt. Por kemi falënderuar çdokënd që është ofruar të na ndihmojë. Jemi shumë mirënjohes nga gatishmëria e vendeve të rajonit për të na ndihmuar”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me ankesat e deputetëve për mungesën e energjisë elektrike në zonat e tyre, Rama tha se situata të tilla nuk mund të shmangen.
“Ti vjen këtu dhe thua 150 mijë njerëz pa drita. Sa njerëz rrinë pa drita kur ndodhin përmbytjet edhe në SHBA, edhe në Itali. Gjëja e parë për sigurinë e jetës është fikja e nënstacioneve aty ku ka rrezik nga përmbytjet”, tha ai.



