Ish-presidenti Bamir Topi ka vlerësuar se kryeministri Edi Rama ka pasur rezultate pozitive në planin diplomatik, por sipas tij, qeverisja është karakterizuar nga personalizimi i pushtetit dhe favorizimi i interesave klienteliste në ndërtim.
Në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV, Topi deklaroi se Rama ka shtuar kontaktet me botën perëndimore, por theksoi se diplomacia nuk duhet të mbështetet te një individ i vetëm.
Për mua, në planin e diplomacisë Rama ka punuar mirë në sensin që ka shtuar frekuencën e kontakteve me botën perëndimore, por nga ana tjetër, brenda këtij misioni, e ka personalizuar. Duhej të ishte punuar me ekip.
Ish-presidenti ngriti akuza edhe për mënyrën e menaxhimit të territorit dhe zhvillimit urban, duke e cilësuar problematik raportin mes qeverisë dhe ndërtuesve të fuqishëm.
Ai ka marrë zonat preferenciale, ka ndërtuar aty ku vetëm ai mund të japë leje për të ndërtuar. Ka një raport klientelist me ndërtuesit e fuqishëm dhe ka kthyer bregun në betonizim. Të shohësh një breg të ezauruar komplet dhe të bëhet pronë e atyre që kanë ndërtuar, kjo është skandaloze.
Sipas tij, shqetësues mbetet edhe kufizimi i aksesit në disa komplekse turistike të ndërtuara në bregdet.
Kur futesh në këto komplekse të duhet leje e posaçme.
Duke folur për korrupsionin, Topi u shpreh se fenomeni është bërë i dukshëm në nivelet më të larta të qeverisjes.
Sa i përket korrupsionit, është evident që ka dalë zbuluar në nivelin më të lartë. Është konstatuar kohë pas kohe në të gjithë ekipin e tij.



