Kreu i PD, Lulzim Basha, doli në një konferencë për mediat, pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”. Basha tha se përgjimet provuan se i vetmi projekt që ka patur Edi Rama është plaçkitja e Shqipërisë përmes pushtetit në ortakëri dhe aleancë me çdo keqbërës të mundshëm. "Pikërisht sot, unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre, por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne", tha ai. Basha tha se politika i ka tradhtuar interesat e popullit, ndërsa shteti është kthyer në një lukuni hajdutësh. "Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë. Jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve: Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur", tha ai.
Ai shtoi se historia nuk blihet dot me para, madje as me paratë e gjithë drogës, siç, sipas tij, bën Edi Rama, i cili "është produkt i dështimit politik, i mungesës së demokracisë partiake, së elitave moderne".
Sërish, ai theksoi se pa largimin e Edi Ramës nuk do të ketë hapa përpara.
“Ne nuk do të tërhiqemi kurrë nga objektivat çliruese për Shqipërinë... Ne ndihemi të sigurt në drejtësinë e kauzës sonë. …Nuk ka dialogim.”
Ndër të tjera kreu i Partisë Demokratike tha se largimi nga Parlamenti qe vendimi i duhur, pasi: “Ne nuk jemi fasadë e pushtetit të krimit, nuk marrim pjesë në zgjedhje false… Do të mbajmë standarde evropine”.
Duke theksuar se me krimin nuk ka negociata e marrëveshje, Basha tha se misioni i opozitës nuk është vetëm largimi i Ramës, por ndryshimi i thellë i gjithçkaje, pasi ajo që u pa është vetëm një pjesë e vogël nga masakra elektorale që ka ndodhur. Pushteti i Rilindjes është më i kriminalizuari pas Enver Hoxhës.
“Partitë politike nuk duhet të financohen nga krimi… Ditë të mira janë para nesh, hajduti Rama e mercenarët e tij do të ikin.”
Në mbyllje, Lulzim Basha pranoi se ka gabimet e tij, por beson te ardhmja e Shqipërisë dhe për këtë ftoi elektoratin në manifestim për demokracinë të premten.
“Unë kam gabimet e mia, por ndryshe nga ata unë besoj te ardhmja e Shqipërisë te demokracia dhe vlerat evropiane të qeverisjes së mirë, unë besoj në Shqipëri... Të premten në manifestim për vlerat e demokracisë Shqiptare për ndryshimin e Shqipërisë.”



