Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i pranishëm sot në festimin e 182 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ka vlerësuar se viti i ardhshëm do të jetë më i vështiri në historinë moderne të Serbisë.
Ai ka shtuar se viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira, përfshirë tensionet në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, raporton B92.
Ai po ashtu vuri në dukje problemet me të cilat po përballemi dhe do të përballemi.
Kam frikë se viti 2024 do të sjellë shumë më tepër konflikte dhe trazira se viti 2022 dhe viti 2023, përfshirë kërcënimet ndaj popullit serb në Kosovë dhe Republikën Srpska, por edhe në pjesë të tjera të rajonit.
Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo ditë, duke dëgjuar pikëpamje dhe mendime të ndryshme, të arrijmë në një emërues të përbashkët se si ta ruajmë lirinë.
Ai ka folur edhe për rëndësinë kompromisit, i cili, sipas tij, do të siguronte që “shteti të mos heqë dorë nga territori apo populli i tij”, duke theksuar njëkohësisht se duhet pritur gjithmonë “rastin më të favorshëm që e vërteta të dalë në dritë”, ndërsa ka shtuar se Serbia megjithatë “do të përpiqet të ruajë paqen” në Ballkanin Perëndimor.
Ne duhet të përpiqemi gjithmonë për kompromis, por kurrë nuk duhet të heqim dorë nga ajo që është e jona, nuk duhet të heqim dorë as nga e drejta publike ndërkombëtare, as nga territori, as nga populli ynë.



