
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, ka njoftuar përmes një postimi në median sociale Facebook, se do të kandidojë për kryetar të kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme.
“Pas shume vitesh aktivitet politik dhe qëndrimesh qe kam mbajtur sidomos gjate kësaj krize të rëndë katër vjeçare, vendosa që të kandidoj për Kryetar i PDSH në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen! I bindur se kam pasur të drejtë për situatën e krijuar pas humbjeve dhe dështimeve të njëpasnjëshme, dhe po ashtu me besimin se Kuvendi Kombëtar do ta fusë PD në rrugën e rimëkëmbjes si alternativa më e mire politike, mora këtë vendim të rëndësishëm!”
Sipas tij, politika është “luftë” dhe jo “një betejë”, ndaj vendimi i shumicës së delegatëve të PD për të mbledhur Kuvendin meriton jo vetëm respektin e çdo anëtari, por edhe kontribut të kujtdo.
“Ndaj e kam mbështetur thirrjen e organit më të lartë vendimmarrës të Partisë Demokratike dhe besoj thellësisht se me kandidimin tim i shtoj përfaqësim shumë delegatëve dhe anëtarëve të PD që kanë pasur të njëjtat qëndrime me te miat dhe kolegëve të tjerë gjatë katër viteve të fundit!”.



