
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit më kryeministrin Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur t’ia ndryshoj Kurtit qëndrimin për situatën në veri.
Hovenier, njoftoi se edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e SHBA-ve lidhur me shtendosjen e situatës në pjesën veriore të Kosovës.
Hovenier deklaroi se s’ka ndryshuar asgjë rreth kërkesave që kryetarët e rinj të katër komunave veriore të ushtrojnë detyrat nga objekte alternative dhe jo nga objektet komunale si dhe që të tërhiqet Policia e Kosovës nga objektet atje. Porse, tha ai, nuk është se ia ndërrova mendjen.
Nuk mund të them se isha i aftë t’ia ndërroja qëndrimin kryeministrit… por patëm një diskutim të mirë. Ne nuk shohim nevojë që në këtë kohë tre kryetarët të ushtrojnë detyrën nga ato objekte dhe nuk besojmë që do të jetë kontribuese për sigurinë që Policia e Kosovës të jetë në objekte komunale.
Kur është pyetur për sanksionet potenciale që mund t’i vendosen Kosovës për moskoordinim me Shtetet e Bashkuara, ambasadori Hovenier tha se “unë nuk dua të përdorë këtë fjalë (sanksione)”, ndërsa shtoi se, në mënyrë që të mos ketë sanksione të tjera, tensionet në veri duhet të tejkalohen.
“Nuk jam në pozitë të them (çfarë mund të jenë pasojat e tjera). Shtetet e Bashkuara po mendojnë se çfarë mjete të tjera mund të përdorë për të inkurajuar Qeverinë e Kosovës për të bërë atë që ne mendojnë që është e rëndësishme të bëhet tani: qetësimin e situatës.
Po ashtu, ambasadori Hovenier pohoi se Shtetet e Bashkuara kërkojnë implementimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, porse situata aktuale në veri është duke e penguar zbatimin e saj.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten e 26 majit realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore-Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore ekskluzivisht Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.



