
Pjesë e pakos së madhë të qeverisë, do të jenë dhe infermierët edhe mjekët. Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se infermieret me pagë nën 60 mijë lekë do të marrin 20 000 Lekë (të reja), ndërsa ata me pagë mbi 60 mijë, ashtu si edhe mjekët do të marrin 10 000Lekë (të reja).
Pakoja e Madhe shkon në mbështetje të 1 milion individëve me një kosto në buxhet prej 8 miliardë lekësh. Ajo synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.



